Si të përgatisim reçel qershie – Delicious



Nga të gjithë reçelnat që përgatit ime më, dhe ajo bën vërtet shumë, sepse është e dhënë pas metodave të vjetra të përgatitjes së ushqimit, të preferuarit e mi janë reçeli i qershisë dhe reçeli i manaferrës. Nuk është ende koha e manaferrave, ndaj fokusohemi fillimisht te qershitë dhe se si mund të nxjerrim prej tyre një reçel fantastik, tërësisht natyral, pa qenë nevoja të blini reçelna të konservuar dyqanesh.

Këtë vit, ime më bëri plot 6 kilogramë qershi reçel. Një masë e tillë mbush 2 kavanoza të mëdhenj plot 2 kg dhe 1 kavanoz më të vogël. Ju, sidoqoftë, niseni me 2 kilogramë qershi, pasi mos harroni, duhet edhe t’u hiqni bërthamat. Nuk kemi dëshirë që t’ju mërzitet receta e ta lini në gjysmë.

Masat janë të tilla: Për 2 kg qershi, duhet 1 kg sheqer. Mund t’i shtoni qershive edhe gjysmë gote ujë, por ime më këmbëngul se nuk është e nevojshme, pasi qershitë e lëshojnë vetë lëngun e tyre. Sidoqoftë, nuk është se e matim ujin me pikatore, apo jo? Sidomos kur bëhet fjalë për gjysmë gote!

 

Përbërësit
2 kg qershi, me bërthama të hequra
1 kg sheqer
gjysmë gote ujë

 

 

Përgatitja
1. Në një tenxhere të madhe hidhni qershitë, shtojuni sheqerin dhe gotën e ujit dhe vërini të vlojnë në zjarr të avashtë. Përziejini herë pas here, që të mos ngjisin në fund.
2. Duhet që qershitë të lëshojnë lëng dhe lëngu të trashet, por pa u errur tepër, pra sheqeri nuk duhet karamelizuar. Qershitë duhet të fishken.
3. Zierja e tyre mund të dojë rreth 1 orë. Kur reçeli të bëhet gati, hiqeni nga zjarri dhe lëreni të ftohet plotësisht, me kapak të hapur. Fusni reçelin në kavanozë të larë dhe të thatë, të cilët s’duhet të kenë aspak ujë.


Ju gjithashtu mund të pëlqeni: